Kur perendite jane ne lufte-AIMS Insight fati organizates percaktohet nga marredheniet midis bordit

Kur perendite jane ne lufte-AIMS Insight

July 2020

Dinamikat e marrëdhënieve midis anëtarëve të një bordi drejtues mund të paracaktojnë fatin e organizatës. Ky është një përfundim i nxjerrë nga puna jonë me shumë kompani bullgare dhe ndërkombëtare gjatë 25 viteve të fundit.
Ka disa tendenca që sot vihen re tek bordet apo ekipet e larta drejtuese, të cilat funksionojnë në mënyrë joefektive. Ja cilat janë ato:

-Nëse anëtarët e bordit nuk dinë të transmetojnë mendimet e tyre pa e dëmtuar marrëdhënien, mund të bien në një gjendje apatie letargjike dhe të bien dakord për gjithcka që u ofrohet nga Presidenti ose CEO. Në raste të tilla, nevoja për të ruajtur një marrëdhënie miqësore (në dukje) është më e fortë dhe mund të ndrydhë të menduarin inovativë dhe alternativë.

-Mungesa e besimit midis drejtuesve të vjetër është shkak për të nxitur intrigat dhe axhendat e fshehura në organizatë. Disa nga pasojat e menjëherëshme janë ndarja selektive e informacionit, krijimi i aleancave dhe marrëdhëniet armiqësore.

-Sjelljet e qëllimshme agresive dhe të vështira kamuflohen me finesë pas shprehjes “ne jemi të sinqertë dhe të ndershëm në kompaninë tonë”. Kjo qasje mund të sjellë regres në zhvillimet e burimeve njerëzore dhe të krijojë një klimë “luftë të hapur për epërsi” dhe “tepër të përqendruar tek vetja”.

-Krijimi i një kulture të shëndetshme korporative është ende në fillimet e saj. Sot, kur organizatat konkurrojnë për besnikërinë dhe angazhimin e punonjësve të tyre më të mirë, kultura e kompanisë dëshmon të jetë ajo që i mban njerëzit të bashkuar. Pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë drejtuesit në nivelet më të ulëta strukturore, nëse drejtuesit e lartë veprojnë me një standard tjetër, e ashtuquajtura “hipokrizi e korporatës” mund të dallohet lehtësisht. Fatkeqësisht, sa më shumë organizatat investojnë në krijimin e standarteve të sjelljes etike dhe krijimin e frymës së uniteti aq më shumë skepticizëm gjenerohet që përfundimisht shndërrohet në sarkazëm.

Të gjithë mund të mendojmë të paktën për një kompani, ku menaxhimi i lartë i së cilës nuk dallohet për dinamika të mira dhe përsëri raporton fitime. Pyetja në këtë rast është nëse kompania është fitimprurëse për shkak të Bordit, apo pavarësisht atij? Nëse merren parasysh oportunitetet e humbura dhe eleminimi i lëvizjeve të favorshme të tregut – si do të ndikonte kjo në fund të fundit?

Padyshim, ka zgjidhje që i japin Bordit mundësi për të drejtuar organizatën me integritet. Le të jemi të sinqertë – këto zgjidhje nuk janë as një ilac, as një vaksinë e mrekullueshme që ju merrni vetëm një here, dhe krijoni imunitet përgjithmonë. Përkundrazi, ato mund të krahasohen me agjentët forcues të imunitetit që duhet të aplikohen rregullisht në mënyrë që të ushtrojnë një efekt të fuqishëm në shëndetin tuaj.

Shumë nga klientët tanë kanë arritur të shmangin pengesat që mund t’i dalin përpara drejtuesëve. Ata investojnë në përmirësimin e vetëdijes, të qenurit më të ndjeshëm, në krijimin e një ekipi dhe një kulture bazuar në aspirata, dhe në të respektimin e parimeve të dakorduara. Anëtarët e Bordit gjithashtu auditohen rregullisht për të përcaktuar nëse kompetencat që ata demonstrojnë korrespondojnë me nevojat e organizatës.

A po përqendrohen realisht ata në zhvillimin e aftësive që u mungojnë? A tërheqin ata anëtarë të rinj për të plotësuar në mënyrë efektive profilin e ekipit?

Për të cituar Hipokratin: “Nëse dikush dëshiron shëndet të mirë, së pari duhet të pyesi veten nëse është gati të luftojë arsyet e sëmundjes së tij. Vetëm atëherë është e mundur ta ndihmosh atë. ” E njëjta gjë konsiderohet e rëndësishme për shëndetin organizativ të drejtuesve të lartë.

Shkruar nga Maria Shishkova
Përshtatur në shqip nga AIMS Albania